E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani: 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe

PRISHTINË, 7 mars/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi sot mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar se shkolla shqipe ka qenë një akt qëndrese në periudhat më të vështira për shqiptarët.

Ajo ka kujtuar se në kohë përndjekjesh mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan, por mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën për liri.

“Shkolla shqipe ishte  akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka theksuar se nga banka e parë e shkollës deri te universitetet vazhdon i njëjti mision – rritja e brezave që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.

“Prandaj, 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues që, përmes dijes dhe përkushtimit, edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit”, ka theksuar ajo, duke uruar të gjithë mësuesit për këtë ditë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›