Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt figuren e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbolin e qëndresës, disidentin e pathyeshëm dhe zërin e të pambrojturve.
Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm, zëri i të pambrojturve, kritiku i pandalshëm dhe njeriu i lirë edhe kur ishte prapa grilave.
“Në vend të hakmarrjes, ai predikoi paqen. Në vend të urrejtjes, ai mbolli pajtimin. Në vend të frikës, ai fliste me guxim për të vërtetën. Ai sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem”, ka shkruar Osmani.
Sot, janë mbushur shtatë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). /Kosovapress/