Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Presidentja Osmani thekson se “Kosova ecën përpara duke fituar miq!”.
“Përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruam edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, përfundon Osmani.
/KosovaPress//r.e/