Osmani: Qeveria e re të formohet sa më shpejt të jetë e mundur, kërkesat e Listës serbe të dëmshme për interesat e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar kërkesën e Listës Serbe për pezullimin e punës së Kuvendit, duke e cilësuar atë si të panevojshme dhe të dëmshme për interesat e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetin serb.
Ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit është në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se formimi i shpejtë i një qeverie me mandat të plotë është në interes të vendit.
Vjosa Osmani sqaroi se krijimi i qeverisë varet nga koalicionet politike dhe se ajo, si presidente, nuk mund të ndërhyjë në këtë proces.
Në rast se partia e parë nuk siguron votat për formimin e qeverisë, Osmani u shpreh se do të respektohen afatet kushtetuese dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, që parashikojnë një periudhë prej 30-45 ditësh pas konsultimeve me partitë politike.
“Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve, ky është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat siç e dini e kanë dëmtuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri e cila do të kishte mandat të plotë kushtetues, sepse siç e dini me Ligjin për Qeveri, kompetencat e qeverisë në detyrë janë të limituara. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi Kuvendi është konstituuar në përpurthje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që të kemi një qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë pastaj varet tërësisht nga koalicionet mes partive politike, dhe aty unë si presidente nuk mund të ndërhyjë, besoj mund t’i pyesni partitë deri ku kanë arritur me këtë çështje. Por është në interes të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie e të kemi institucione me mandat të plotë kushtetues”, tha Osmani.
E pyetur nëse deri të dielën Kosova nuk do të ketë qeveri të re, a do të ketë zgjedhje, Osmani tha se nëse vendi shkon deri në atë situate, ka afate të caktuara për këtë çështje.
“Nëse vijmë deri te një situatë e tillë, ku as partia e parë dhe as kushdo që mund ta ketë mundësinë e dytë, sepse ajo është në diskrecion të institucionit të Presidencës, nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë dhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime në fakt lidhur me këtë temë që e qartësojnë këtë çështje, por pastaj afati që jepet është 30 deri në 45 ditë dhe këtë datë unë do ta vendosë në përputhje me interesat e Kosovës dhe konsultimet me partitë politike. Por, unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështohet në krijimin e qeverisë, ka ende edhe pak kohë, ta shohim. Shpresoj që do të ketë angazhim maksimal për krijimin e qeverisë së Kosovës sepse qytetarët kanë votuar me 9 shkurt që të kenë institucione e jo të kthehen në zgjedhje”, deklaroi më tej Osmani.
Ajo shmangu supozimet për dështimin e mundshëm të krijimit të qeverisë, duke thënë se ka ende kohë për negociata. Për mungesën e angazhimit të partive për të siguruar votat, Osmani sugjeroi se mund të ketë zhvillime që nuk janë publike, duke lënë të hapur mundësinë e takimeve jozyrtare.
/rtsh.al/