Osmani bisedon me Kallasin, fokusi te heqja e masave ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të enjten se ka zhvilluar një bisedë me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Osmani u takua me Kallasin në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ku tha se i kërkoi asaj që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. “Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, tha Osmani.
Kosova ka synim të kamotshëm anëtarësimin në BE, por ajo vijon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Kërkesa e saj për anëtarësim, e bërë në dhjetor 2022, nuk është shqyrtuar ende. Ndërkohë, Osmani udhëtoi në Shtetet e Bashkuara këtë javë, ku zhvilloi takime edhe me zyrtarë të tjerë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Të mërkurën, ajo tha se pati bisedë “përmbajtësore” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Takimi i saj me Rubion vjen pasi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje në fillim të këtij muaji. Uashingtoni njoftoi më 12 shtator për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.