Osmani do t’i ftojë në takim liderët e partive politike

PRISHTINË, 30 qershor/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim, tha për KosovaPress, këshilltari për media, Bekim Kupina.
Ai tha se Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar gjykata.
“Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha ai.
Deri më tash janë mbajtur 39 seanca të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit, që prej 15 prillit.
Partitë nuk po pajtohen rreth emrit që Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për kryeparlamentare dhe as për ndryshimin e mënyrës së votimit siç po e kërkon kjo parti – nga i hapur në të fshehtë.Në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, Kushtetuesja obligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. /Kosovapress/