E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë

PRISHTINË, 14 janar /ATSh/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.

Me këtë rast, presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores Maandi dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Estonisë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se Kosova është e linjëzuar në mënyrë të vazhdueshme me politikat e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha si mbrojtja, digjitalizimi, shërbimet publike elektronike, siguria kibernetike, integrimi euroatlantik, si dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane.

Në këtë kuadër, ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për aspiratat evropiane të Kosovës, veçanërisht për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›