Osmani pret në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

PRISHTINË, 21 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.
Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Osmani ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Kujtojmë që sot dështoi edhe tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
/KosovaPress/