Osmani pret në takim tenorin Ramë Lahaj dhe yjet e Festivalit Ndërkombëtar të Operës

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me të ftuarit specialë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, në kuadër të edicionit të 5-të të këtij festivali prestigjioz që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit kulturor evropian.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe: Ramon Vargas, një nga tenorët më të mëdhenj të operës botërore; Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja gjeorgjiane me famë ndërkombëtare si dhe dirigjenti Besmir Vokopola.
Presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin e Ramë Lahajt në promovimin e artit dhe të kulturës së Kosovës në skenat botërore, si dhe përkushtimin e tij për t’i sjellë artistët më të mëdhenj të operës ndërkombëtare në Prishtinë, duke ngritur nivelin e skenës kulturore në vend. /KosovaPress/