Osmani reagon pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Rumani

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ “Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një deklaratë të hënën, më 4 gusht. Ajo ka kërkuar nga autoritetet atje që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve.
Ajo theksoi se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se sporti duhet të jetë mjet bashkimi, “jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha e para e shtetit ndërsa theksoi se “Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”.Thirrje raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan në fundjavë gjatë një ndeshjeje të basketbollit që u zhvillua në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri”, tha ai ndërsa shtoi se “thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë”.
Gjuhën e përdorur në ndeshjen e zhvilluar në Kumanovë e dënoi edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – parti shqiptare në Maqedoninë e Veriu, Ali Ahmeti.
“E kuptoj dhe e ndaj mllefin tuaj miq, jo vetëm nga klithmat e urrejtjes në Kumanovë, por edhe nga fushata e përditshme sistematike kundër barazisë dhe çdo gjë që arritëm bashkë me shumë mund ndër vite”, u shpreh Ahmeti në rrjetet sociale. /Kosovapress/