Osmani takohet me Rutten: Nato, garant i stabilitetit në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë qëndrimit të saj në Kopenhagën ku po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
Osmani është shprehur se NATO është garant për stabilitetin në rajon, ndërsa theksoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partnere e besueshme për mbrojtjen e paqes.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Samitin e EPC në Danimarkë.
Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
Theksova po ashtu rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta”, shkruan Osmani.
Gjatë qëndrimit të saj në Kopenhagë, Osmani u shpreh më herët se Evropa po përballet me dy rreziqe të mëdha, Rusia dhe Serbia, prandaj, shtoi ajo, nevojitet unitet nga gjithë aleatët e BE-së.
/rtsh.al/