Osmani takohet me zyrtarë të NATO-s, u shpreh mirënjohje për angazhimin për sigurinë

PRISHTINË, 10 mars/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO (NALT), gjeneralbrigade Dr. Sven Lange, si dhe përfaqësuesen e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.
Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe në profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneralbrigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Presidentja ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO. /Kosovapress/