Osmani takon partitë parlamentare në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin në Kuvend

PRISHTINË, 15 maj/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani i ka nisur të enjten takimet me shefat e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin politike, pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Në takim – që i cili nisi pak pas orës 13:00 në zyrën e presidentes – po marrin pjesë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas takimit me shefat e partive shqiptare, Osmani do të zhvillojë bisedime me pakicat në orën 15:00.
Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.
Osmani paralajmëroi të martën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.
“Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo.
Ndërkohë, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se “në krizën aktuale, e vetmja rrugëdalje është angazhimi i fuqishëm i Perëndimit, pra i Evropës.”
“Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha krizat e mëparshme që nga viti 2010, ky angazhim mungon, sepse politika perëndimore, ajo e BE-së ndaj Kosovës, ndodhet në një fazë kalimtare të një vakumi strategjik pas rrënimit të plotë të dialogut politik dhe mungesës së udhëheqjes nga kryeqytetet e shteteve anëtare më të rëndësishme. Për këtë arsye, më duket se kjo krizë politike dhe institucionale është më e thella që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.
Sipas tij, kriza aktuale institucionale në Kosovë është, nga njëra anë, rezultat i përshkallëzimit të marrëdhënieve mes partisë në pushtet në largim, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partive opozitare – për të cilën, krahas Qeverisë Kurti, “përgjegjësi të madhe mbajnë edhe bartësit e dialogut politik gjatë katër viteve të fundit, pra nisma franko-gjermane dhe veçanërisht Gjermania; dhe nga ana tjetër, kjo krizë rrjedh nga karakteri i papërfunduar i rendit politik, institucional e kushtetues të Republikës së Kosovës – për të cilin përgjegjës janë të gjithë aktorët: elitat politike vendore dhe aktorët perëndimorë që në vitet 2007-2008 ishin të përfshirë në procesin kushtetues”.“Kjo papërfundueshmëri e sistemit politik e institucional del në pah sa herë që vendi përballet me kriza të rregullta politike”, vlerësoi ai.
Në prag të takimit të së enjtes, Osmani u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati
Presidenca tha në një njoftim për media se ky ishte takim i rregullt mes tyre dhe se në të u diskutua për “rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”. /rel/