Osmanit iu montuan foto me politikanë serbë, Presidenca: Policia të marrë masa

PRISHTINË, 9 dhjetor/ATSH/ Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me një fotografi të manipuluar e cila po qarkullon në rrjetet sociale.
Në reagimin zyrtar theksohet se fotoja e montuar me kryeparlamentaren e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, “është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani”.
“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja. Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin për mediet.
Presidenca thekson se përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm.
“Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe janë pjesë e një fushate të mirorganizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës”.
Presidenca i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, “të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”.

/r.e/