PARIS – Starmer: BM dhe Franca do të ngrenë qendra ushtarake në Ukrainë pas paqes

LONDËR, 6 janar /ATSH-DPA/- Britania e Madhe dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, tha sot kryeministri britanik Keir Starmer.
“Ne nënshkruam një deklaratë qëllimi për vendosjen e forcave në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje”, tha Starmer në takimin e “Koalicionit të të Gatishmëve” në Paris.
“Kjo është një pjesë jetësore e angazhimit tonë për të qëndruar me Ukrainën në planin afatgjatë”, shtoi ai.
“Kjo hap rrugën për kuadrin ligjor sipas të cilit forcat britanike, franceze dhe ato partnere mund të veprojnë në tokën ukrainase, duke siguruar qiellin dhe detet e Ukrainës dhe duke rigjeneruar forcat e armatosura të Ukrainës për të ardhmen”, tha Starmer.
“Ne i diskutuam këto çështje në detaje, dhe kështu mund të them se pas një armëpushimi, Britania e Madhe dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën dhe do të ndërtojnë objekte për armë ose pajisje ushtarake për të mbështetur nevojat mbrojtëse të Ukrainës”, tha ai.
Kryeministri britanik shtoi se Londra do të merrte pjesë në çdo verifikim të udhëhequr nga SHBA-ja, në rast të një armëpushimi, dhe do të mbështeste sigurimin afatgjatë të armëve për mbrojtjen e Ukrainës. //a.i/