E Premte, 6 Nëntor 2026

PD: Drejtues të Universitetit të Gjirokastrës presion ndaj pedagogëve që mbështetën protestën - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike deklaroi sot se gjatë ditëve të protestës studentore, drejtues të universiteteve kanë ushtruar presion ndaj pedagogëve, duke u kërkuar të mos mbështesin studentët e tyre.

Përmes një deklarate nga selia blu, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, tha se rektori dhe dekani i Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë ushtruar presion ndaj një pedagogeje, me inicialet A.K., për ta penguar të merrte pjesë në protestë.

Sipas Sulës, ndaj pedagoges janë organizuar mbledhje kolektive, ku pretendohet se janë ushtruar presione për të mos mbështetur studentët. Ajo i ka cilësuar këto veprime si shkelje të të drejtave individuale, lirisë akademike dhe dinjitetit të personelit akademik.

“Rasti i Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër është shembull i qartë: rektori dhe dekani kanë ushtruar presion ndaj pedagoges A.K., për të mos dalë në protestë, duke organizuar mbledhje kolektive si në vitet e diktaturës, në shkelje të rëndë të të drejtave të individit, të lirisë akademike dhe të dinjitetit të pedagogut.

Rektori i Gjirokastrës u bë viral në media, për daljen e tij qesharake publike, ku deklaronte se nuk njihte sindikatën dhe bojkotin. Është tërësisht e dënueshme që mendësia e viteve të diktaturës, e ushqyer edhe nga urdhra të dërguarish politikë në Gjirokastër, të përdoret për të diskriminuar apo të ndalojnë pedagogë për të mbështetur protestën”, tha Sula.

Sula theksoi se pjesëmarrja në protesta është një e drejtë kushtetuese dhe sindikale, ndërsa drejtuesit universitarë nuk kanë të drejtë të pengojnë pedagogët të jenë pjesë e sindikatave apo të solidarizohen me studentët.

“Rektori dhe dekani nuk kanë asnjë të drejtë të ndalojnë pedagogët të jenë anëtarë të sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë dhe të ndalojnë pedagogët të solidarizohen me studentët dhe, aq më pak, të marrin masa ndëshkuese ndaj tyre. Marrja e masave pa transparencë, pa dokumentacion dhe pa informacionin e domosdoshëm është shkelje ligjore”, tha ajo.

Ajo i ka cilësuar të papranueshme këto praktika dhe u ka bërë thirrje pedagogëve, prindërve dhe qytetarëve që të bashkohen në mbështetje të protestës studentore.

/m.q/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›