PD, Tabaku akuzon qeverinë për bllokimin e integrimit dhe krizën ekonomike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza ndaj mazhorancës socialiste, duke e bërë atë përgjegjëse për atë që ajo e quan një “udhëkryq historik” të vendit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e integrimit evropian dhe gjendjen ekonomike.
Në postimin e saj, ligjvënësja demokrate bëri një paralele mes situatës aktuale politike dhe vitit 2010, duke akuzuar Partinë Socialiste për bllokimin e institucioneve dhe proceseve integruese për interesa të ngushta pushteti.
Sipas Tabakut, Shqipëria rrezikon sërish rrugëtimin e saj evropian për shkak të moszbatimit të ligjit dhe mungesës së drejtësisë së barabartë.
“Refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend evropian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje,” theksoi ajo, duke shtuar se debati publik është zhvendosur nga standardet evropiane te “kultivimi i pushtetit personal”.
Situata ekonomike dhe akuzat për keqqeverisje
Përtej argumenteve politike, Tabaku u ndal gjerësisht te problematikat e përditshmërisë së qytetarëve, duke e cilësuar modelin aktual të qeverisjes si një sistem që favorizon interesin personal mbi atë kombëtar. Ajo renditi një sërë shqetësimesh ekonomike që sipas saj rëndojnë mbi shqiptarët si renditja e Shqipërisë e fundit në rajon për fuqinë blerëse për frymë; mungesa e pensioneve dinjitoze dhe një klimë e pasigurt për të bërë biznes; zhvlerësimi i euros, i cili sipas deputetes po ndodh për shkak të “parave të pista”, fenomen që po shoqërohet me rritjen e përditshme të çmimeve të shportës bazë.
Në mbyllje të reagimit, Tabaku e cilësoi reagimin qytetar jo thjesht si një mendim, por si një akt të domosdoshëm për të zgjedhur mes një sistemi të mbyllur dhe një Shqipërie evropiane me institucione të forta.
Ajo ftoi zyrtarisht qytetarët t’i bashkohen tubimit të thirrur nga opozita këtë të shtunë, në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet në këtë moment kritik.
/rtsh.al/