PD ankimon në Kushtetuese rrëzimin e komisioneve hetimore për AKSHI-n dhe investimet në infrastrukturën rrugore

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Kuvendit për të mos miratuar ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, një për kontrollin e ligjshmërisë së investimeve në infrastrukturën rrugore dhe një tjetër për funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kërkesa është firmosur nga 46 deputetë të opozitës, të cilët argumentojnë se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën duke refuzuar ngritjen e komisioneve hetimore, që sipas tyre përbëjnë një nga instrumentet kryesore të kontrollit parlamentar, transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas PD-së, objekti i të dy komisioneve është në përputhje me standardet kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mosmarrëveshja e kompetencës ka lindur si pasojë e refuzimit të Kuvendit për të ushtruar këtë detyrim kushtetues.
Opozita pretendon gjithashtu se mazhoranca nuk ka paraqitur asnjë alternativë lidhur me objektin e hetimit dhe ka cenuar të drejtën e pakicës parlamentare për të ushtruar funksionin mbikëqyrës.
“Bazuar në sa më sipër, lidhur me të drejtën e pakicës parlamentare për të iniciuar një kontroll parlamentar, ritheksojmë se ngritja e komisionit hetimor parlamentar, kur kërkohet nga pakica parlamentare, është e detyrueshme. E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të vihet në diskutim. Në përmbledhje të të gjitha fakteve dhe argumenteve të parashtruara në këtë kërkesë, bazuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, vlerësojmë se:
Është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, e cila nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit; Në rastin konkret, objekti i hetimit të Komisionit Hetimor është në përputhje me natyrën e këtij komisioni, si dhe me kriteret dhe standardet kushtetuese të analizuara dhe trajtuara nga jurisprudenca kushtetuese:
Shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit duhet kërkuar te mohimi, nga ky i fundit (Kuvendi), i kompetencës kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor me argumentin jokushtetues; Mazhoranca nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe asnjë formulim alternativ në raport me objektin e hetimit”, thuhet në kërkesën e PD.
Në kërkesën e saj, Partia Demokratike kërkon nga Gjykata Kushtetuese të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit, duke detyruar ngritjen e komisionit hetimor për investimet në infrastrukturën rrugore dhe të komisionit hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të AKSHI-t, përfshirë çështjet e sigurisë kibernetike, mbrojtjes së të dhënave personale dhe rreziqeve për sigurinë kombëtare.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: (i) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”; (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend i NATO-s”.
Deklarimi i vendimit nr. 57/2026 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Per ngritjen e Komisionit Hetimor per komrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore si papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
Deklarimi i vendimit nr. 58/2026 të Kuvendit të Shqipërisë “Per mosmiratimin e projektvendimit Për ngritjen e Komisionit Hetimor per kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencise Kombetare të Shoqërisë se leformacionit (AKSHI), për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes se te dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombetare dhe detyrimet e Shqiperise si vend i NATO-s”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, në përfundim, për shkak të interesit publik që paraqet kjo çështje, kërkojmë përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes”, thuhet në kërkesën e PD.
/rtsh.al/