E Diel, 1 Nëntor 2026

PD i kërkon KLGJ dhe ILD të konfirmojnë mbarimin e statusit të gjyqtares Irena Gjoka

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar sot Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të konstatojnë mbarimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka si magjistrate dhe largimin nga detyra, pasi sipas Prokurorisë së Përgjithshme rezulton e dënuar në shtetin grek dhe këtë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit.

Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, theksohet se, “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit si dhe ka falsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhërdëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal”.

“Ky fakt ka krijuar një gjendje paligjshmërie  dhe antikushtetutshmërie në sistemin gjyqësor”, thuhet në dokument.

Deputetët e opozitës shprehin shqetësim për vonesën e veprimeve nga KLGJ dhe ILD, duke theksuar se kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarura.

Bardhi thekson se “ky konstatim duhet të kishte ndodhur brenda dy javëve nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë/papajtueshmërisë, por deri më tani nuk ka pasur veprime nga autoritetet përgjegjëse, edhe pse fakti i dënimit është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet greke”.

Në përfundim, opozita kërkon nga KLGJ dhe ILD që të veprojnë menjëherë për të zbatuar detyrimet kushtetuese dhe ligjore për mbarimin e statusit të magjistratit të gjyqtares Gjoka, duke respektuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Sipas grupit të PD, çdo vonesë mund të ketë pasoja të rëndësishme për interesin publik, besimin e qytetarëve dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›