PD këmbëngul për front të përbashkët opozitar, Boçi: Do të mbështesim studentët në protestë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, deputeti demokrat Luçiano Boçi u shpreh se protesta duhet të vazhdojë deri në arritjen e objektivit, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Deputeti demokrat bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në protestën e ditës së nesërme, duke theksuar se PD-ja do të jetë në mbështetje të studentëve.
“Skenari për nesër është shumë i thjeshtë: mbështetje masive për studentët, sa më shumë mbështetje duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve që sot ndoshta heshtin e nuk janë aq aktivë që t’i bashkohen protestës së studentëve, sepse tek e fundit ata shprehin zemërimin e gjithë shoqërisë”, tha ai.
Z.Boçi komentoi gjithashtu refuzimin e disa partive të vogla për t’iu bashkuar thirrjes së PD-së, si dhe përplasjet verbale mes studentëve dhe përfaqësuesve demokratë gjatë protestës së javës së kaluar.
Reklamë
INTERVISTA E PLOLTË:
A jeni të kënaqur me ecurinë e protestës deri tani?
Luçiano Boçi: Tani protestat përfundojnë me kënaqësi kur kanë rezultatin kryesor për të cilin ato zhvillohen dhe bëhen. Në këtë rast, kur shoqërohen me dorëheqjen dhe largimin e Ramës dhe lënien e hapësirës së një qeverie, pavarësisht emrit teknike apo kujdestare që realizon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tani protestat kanë dinamikat e tyre dhe ka shumë rrethana që përcaktojnë këtë dinamikë. E rëndësishme është që protesta e Partisë Demokratike nuk është si në rastin e protestave që kanë qenë të organizuara vetëm nga Partia Demokratike me kauza të qarta politike nga ajo, por është një protestë që mbështet protestën e studentëve me të njëjtën kauzë që ka pasur dhe e ka Partia Demokratike, që është dorëheqja e Ramës dhe krijimi i kësaj qeverie që unë e përmenda.
Në syrin e politikanit, por edhe të qytetarit dhe të përvojës tuaj, përse protestat e ditëve të fundit, ndoshta dhe të javëve të fundit, nuk e kanë më forcën, vrullin dhe masivitetin e protestave më të mëdha e masive të fillimit? Si mendoni?
Luçano Boçi: Po kjo nuk është e rëndësishme, sepse protestat kanë pasur ato uljet dhe ngritjet e tyre përgjatë këtyre muajve edhe në intensitet, edhe në krijimin e situatave problematike dhe në akte shumë të forta. E rëndësishme është që protestat janë konsistente, që vazhdojnë dhe nuk hiqet dorë nga të protestuarit. Këtu është edhe dërgimi i mesazhit të qartë: protestat nuk kanë përfunduar. Qytetarët janë të zemëruar dhe kërkojnë një zgjidhje që është zgjidhje politike. Pastaj çështja që ka më shumë apo më pak, ka më shumë akte apo më pak akte, këto përcaktohen edhe nga faktorë të tjerë të cilët në fakt janë edhe artificialë, janë trysnues e presionues. Sepse përgjatë kësaj kohe ju keni parë dhunën që ka ushtruar policia, që s’ka kursyer edhe plumbat e gomës e që kanë sjellë pasoja për shëndetin e njerëzve, dhe normalisht instinktet vetëmbrojtëse i bëjnë njerëzit të kenë një lloj hezitimi pavarësisht shkallës së zemërimit. Por njëherazi dhuna më e fortë që ushtrohet mbi një shoqëri është dhuna financiare, dhe Rama me një akt normativ antikushtetues ka miratuar penalizime dhe dënime për qytetarët që marrin pjesë në protesta. Megjithatë, këto kanë ndikuar diçka në pjesëmarrje, por jo që të shuajnë protestën, sepse zemërimi tejkalon edhe atë pjesën e frikës të qytetarëve që dalin në protestë se mund të penalizohen qoftë financiarisht, qoftë edhe mund të goditen fizikisht në formë të dhunshme nga Policia e Shtetit. Protesta dhe protestat në përgjithësi kudo ku zhvillohen në të gjithë botën një kohë të gjatë kanë momentet e tyre të grumbullimit masiv e të akteve të forta, sikurse kanë edhe momente kur janë të qeta, me grumbullime mesatare, por që përcjellin vazhdimin e qëndresës dhe të protestës.
Ditët e fundit Partia Demokratike po nënvizon e thekson fort thirrjen për bashkim të të gjitha forcave opozitare, të gjithë komponentëve të opozitës që duan largimin e qeverisë. Por disa parti që janë dhe të zëshme, gjithsesi më të vogla se Partia Demokratike, po e refuzojnë ftesën tuaj. Si e shihni ju këtë refuzim?
Luçiano Boçi: Refuzimi nuk është i ri dhe thirrja që Partia Demokratike bën nuk është thirrje e re. Vazhdimisht PD-ja ka qenë gjeneroze në mënyrën se si i qaset spektrit politik opozitar. Këtë gjë e ka bërë edhe shumë kohë më përpara, më herët, dhe zakonisht pushtetet e saj të fituara kanë qenë në bashkëpunim me partitë e frontit opozitar. Nisur nga kjo, nga koncepti që ajo ka për pluralizmin, nuk rresht së bëri thirrje për partitë opozitare, dhe aq më tepër kjo thirrje përkon me një situatë politike të tillë që domosdoshmërisht duhet një front i përbashkët, jo thjesht i partive tashmë opozitare, por edhe i faktorëve të tjerë përtej partive politike. Sepse ka përfaqësues që përfaqësojnë shtresa apo interesa të caktuara që sot janë të zëshme, që kanë ndikimin e tyre dhe që ato njëkohësisht mund të jenë pjesë e këtij fronti e së bashku për të realizuar atë qëllim i cili sot është qëllimi i gjithë shoqërisë shqiptare dhe i politikës shqiptare. Pra jemi në një pikë ku konvergojnë edhe interesi qytetar, edhe interesi politik në shumicën e ekzistencës së tij, ka një bazë shumë të gjerë dhe kjo shton thirrjet dhe domosdoshmërinë e uljes së të gjithë faktorëve politikë e jopolitikë në një tryezë dhe të krijimit të një fronti të përbashkët opozitar për ta çuar vendin drejt atyre zgjedhjeve të lira e të ndershme me atë qeveri teknike. Tek e fundit zgjedhjet kalojnë nëpërmjet protestës. Askush nuk po kërkon ikjen e Ramës thjesht vetëm nëpërmjet protestës, por po e kërkojnë nëpërmjet votës, por të krijohen kushte që kjo votë të jetë e lirë dhe e ndershme dhe jo votë e kapur, e dhunuar, e trysnuar dhe e komanduar nga krimi, patronazhimi politik, nga administrata, nga leku i pistë apo elementë që deformojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.
Në protestën e javës së kaluar, të shtunën, atë që ju e quani protestë kombëtare, pati si disa episode jo të këndshme për elementët opozitarë, por sidomos për Partinë Demokratike. Kam parasysh konfrontimet mes studentëve apo qytetarëve dhe simpatizantëve tuaj. Nesër do të shmangen të tilla episode? Si e keni planin?
Luçiano Boçi: Tani konfrontimi është kur ka përplasje fizike. Ishte fjalësore. Pati një retorikë kundërshtuese nga një grup i caktuar dhe kjo kundërshti nuk është e re. Kjo mënyrë qëndrimi e atij grupimi ka qenë që në 2018-ën kur studentët ishin përsëri në protestë dhe jemi ndeshur, ishte Lulzim Basha atëherë kryetar i Partisë Demokratike, jemi ndeshur me të njëjtën retorikë që PD-ja s’duhet të vijë te studentët, sepse lëvizja e atëhershme pretendonte se ajo mbronte kauzën e studentëve, ndërkohë që s’ishte fare ashtu siç nuk është dhe tani fare ashtu[9]. Nuk mundet një protestë të jetë antipolitike e anti-partive politike. Një protestë është antiqeveritare. Marrin pjesë forca politike dhe jo forca politike, kjo është e natyrshme. Unë nuk mendoj që këto duhet të dëmtojnë përkrahjen dhe mbështetjen që çdo qytetar e çdo forcë politike duhet t’i japë studentëve. Tek e fundit, çdo përfaqësues politik para se të jetë përfaqësues politik është prind, është vëlla, është familjar i atyre studentëve që sot kanë një kauzë politike që e ka atëherë Partia Demokratike, dhe këtu nuk ka faj që dikush të dalë e të kërkojë largimin e përfaqësuesve politikë të Partisë Demokratike nga protesta. Skenari për nesër është shumë i thjeshtë: mbështetje masive për studentët, sa më shumë mbështetje duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve që sot ndoshta heshtin e nuk janë aq aktivë që t’i bashkohen protestës së studentëve, sepse tek e fundit ata shprehin zemërimin e gjithë shoqërisë. Studentët janë pjesë e familjeve shqiptare dhe aty në shesh kanë dalë jo për kërkesa specifike të tyre si në 2018-ën, por kanë dalë për një zgjidhje politike që afekton të gjithë shoqërinë shqiptare. Çdo njeri që ka në dispozicion pak kohë duhet të jetë nesër bashkë me studentët.
/vizionplus.tv