E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kërkesë Kuvendit: Procedurë të përshpejtuar për propozimin që ul çmimin e naftës

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit këtë të mërkurë, më 8 prill, që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës.

Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.

Në shkresën e firmosur nga 36 deputetë, thuhet se një prej arsyeve kryesore të çmimit tejet të lartë të karburanteve, “është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të cmimit final të litrit të karburantit”.

Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës.

Nëse kjo masë do të aplikohej, sipas demokratëve, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.

Qëllimi i projektligjit “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe cmimeve të lëndëve djegëse” sipas PD-së, është krijimi i një kuadri të posaçëm ligjor për menaxhimin efektiv të krizave në sektorin e hidrokarbureve, të shkaktuara nga zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare, veçanërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme. “Ky projektligj ka natyrë urgjente dhe synon mbrojtjen e interesit publik.”, thuhet më tej në shkresë, ku kërkohet futja me procedurë të përshpejtuar e projektligjit në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›