E Martë, 3 Nëntor 2026

PD kërkoi pavlefshmëri të rezultatit të 11 majit në qarkun e Beratit dhe Vlorës, KAS rrëzon kërkesat

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore e cila kërkoi  pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Beratit.

Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së PD-ASHM-së, KAS me shumicë votash vendosi që të lërë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të votimit për qarkun e Beratit, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun e Beratit Partia Socialiste mori pesë mandate deputetësh, dy nga lista e mbyllur dhe tre nga lista e hapur. Ndërkohë Partia Demokratike mori dy mandate deputetësh nga lista e mbyllur.

KAS po ashtu mori në shqyrtim padinë e depozituar nga koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, me objekt kundërshtimin e vendimit të KSHZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Vlorë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj.

PD po ashtu ka kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Vlorës dhe përsëritjen e tyre.

Ndërkohë, koalicioni “Shqipëria Bëhet” kishte depozituar ankimimin kundër rezultateve të 11 majit në këtë qark me kërkesën për rinumërim të votave, ankimim që u shqyrtua i bashkuar me ankimimin e PD.

KAS vendosi lënien në fuqi të vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për qarkun e Vlorës.

m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›