E Diel, 1 Nëntor 2026

PD nis protestën kombëtare para Kryeministrisë, Boçi: Do ta çojmë deri në fund betejën tonë

Partia Demokratike ka nisur protestën e saj kombëtare përpara Kryeministrisë ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama.

Nën drejtimin e Sali Berishës, Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj për të protestuar para godinës qeveritare.

Protestën e ka hapur deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ku theksoi se opozita po reziston dhe do ta çojë deri në fund betejën e saj deri në fund.

” Ne jemi këtu se na ka thirrur rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare, ndërgjegja qytetare, etja për të vërtetën. Ne jemi thirrur këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund për të arritur qëllimin tonë. Ne jemi këtu sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin të drejtohet nga një njeri i cili e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të bandave të krimit të organizuar…“, tha Boçi.

Boçi vuri në dukje se kryeministri Rama “ka 13 vite që i ka marrë peng. Ka marrë peng rininë e këtij vendi, të cilën e detyron që të mallkojë ditën që ka lindur në Shqipëri dhe të largohet nga sytë këmbët. Ka marrë peng fermerët, të cilët me sytë nga qielli mallkojnë punën dhe produktin e tyre”

“Ka marrë peng bizneset, ka marrë peng pensionistët, ka marrë peng mjekët, arsimtarët, ka marrë peng qytetarët dhe ta dini mirë, të dashur miq, kur përmendet emri i këtij njeriu, edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis me këtë emër. Sepse ky njeri vazhdon të ndërtojë kate fasadash, kate luksi dhe pasurie, ndërsa shqiptarët ndërtojnë kate borxhi, kate mjerimi dhe kate varfërie“, u shpreh Boçi.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e duhur të kësaj proteste. Ashtu siç shikohen edhe nga pamjet e dërguara nga gazetarët e RTSH-së, evidentohet përforcimi i perimetrit të godinës së Kryeministrisë, përmes efektivëve të policisë.

Në rreshtin e parë të përforcimit të perimetrit të godinës së Kryeministrisë shihen uniformat blu të pajisura edhe me skafandra duke u shtrirë përgjatë gjithë vijës së parë të hyrjes së Kryeministrisë.

Ndërkaq, më herët, kryedemokrati Sali Berisha përcolli mesazhin e tij duke u shprehur se sot është dita e guximit qytetar. Sipas tij, sot i bëhet “gjyqi” qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, shkroi Berisha.

Protesta e ditës së sotme që konsiderohet si protestë kombëtare është e dyta e këtij lloji pas asaj të mbajtur më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›