PD reagon për deklaratën e Kos: Bazohet në informacionet e dhëna nga Rama

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot lidhur me deklaratën e Komisioneres për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos, duke theksuar se “injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë”.
“Partia Demokratike shpreh shqetësimin dhe thekson se ajo është e bazuar në informacionet e rrejshme paraqitur nga miku i saj Edi, dhe jo në realitetin ekzistues në vend”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Sipas PD-së, ajo deklaratë injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë dhe i shërben Edi Ramës dhe jo zgjidhjes së krizës. Përkundrazi, sipas PD-së, e acaron dhe e thellon edhe më shumë krizën.
Partia Demokratike shprehet se mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të protestuesve si kushte për zgjidhjen paqësore të krizës.
Në një deklaratë dje nga Brukseli, Kos konfirmoi se KE ka marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektohen.
“Fakti që kjo po ndodh, ndërkohë që Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet europiane”, shtoi Komisionerja për Zgjerimin.
/m.m/a.f/r.e/