PD shkresë Kuvendit: Të anulohet seanca parlamentare ku u votua qeveria e re

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Partia Demokratike, në një shkresë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë kërkoi anulimin e seancës së sotme parlamentare ku u votua qeveria e re.
Në shkresën e grupit parlamentar të PD-së konstatohet pavlefshmëria e seancës plenare të datës 18 shtator 2025, e cila kishte në rendin e ditës projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës ishin prezent në sallë, për të ushtruar detyrën e tyre kushtetuese dhe për të diskutuar mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Kryetari i Kuvendit i dha fjalën Kryeministrit, i cili pas disa minutave diskutim, mori rolin e Kryetarit të Kuvendit, ndërpreu fjalën e tij dhe ia kaloi fjalën “Ministres virtuale Diella”, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren”, thuhet më tej në letrën e PD-së.
Më tej në letër thuhet se reagimi i opozitës në seancë nuk shkel etikën parlamentare, por është formë reagimi që përdoret në të gjitha Parlamentet e vendeve demokratike. Rasti më i fundit, sipas PD-së, është ai në Parlamentin Europian, ku eurodeputetët pas refuzimit të kërkesës për një minutë heshtje përplasën duart mbi tavolinat e tyre të punës si formë demokratike reagimi.
Ndërsa bënë një kronologji të zhvillimeve në seancën e sotme plenare, PD shprehet në letër se “për shkak të shkeljes së procedurës, votimi i kryer në seancën e datës 18 shtator 2025, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, dhe për pasojë është i pavlefshëm”.
Sipas PD-së, “paraqitja e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave është një akt kushtetues, që nuk mund të ndryshohet apo shoqërohet me veprime propagandistike, videomesazhe virtuale, apo mesazhe tallëse për deputetët e opozitës”.
“Refuzimi i Kryeministrit për të vijuar me paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, është gjithashtu një akt jo kushtetutes, për shkak se paraqitja nuk është një akt vullneti i Kryeministrit, por një detyrim kushtetutes”, thuhet më tej në letër.
Ndaj, PD kërkoi anullimin e votimit dhe rithirrjen e seancës plenare me të njëjtin rend dite, ku të ndiqet me përpikmëri procedura parlamentare e parashikuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.
Po ashtu në letrën drejtuat Kuvendit, PD kërkon shmangien e çdo lloj provokimi nga ana e Kryeministrit ndaj çdo deputeti të opozitës, duke ndjekur rregullat parlamentare të zhvillimit të seancës plenare dhe duke mos e shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një “teatër kukullash”.
/m.m/j.p/