E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK çon në Kuvend nismën për ndryshime në ligjin për Gjykatën Speciale

PRISHTINË, 21 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur sot se grupi parlamentar i kësaj partie ka dërguar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, në një konferencë për media në godinën e Kuvendit, tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ato janë krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të tyre.

“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, tha ai.

Me 22 deputetët e saj, PDK-së i duhen edhe 18 nënshkrime të deputetëve nga grupet e tjera parlamentare për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Thirrja e PDK-së vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim të hënën, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, kërkoi që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të apelit.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti.

Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë “mobilizim të plotë diplomatik” me aleatët ndërkombëtarë, me qëllim që procesi i shqyrtimit në shkallën e dytë, sipas tij, të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.

Protestat janë mbajtur çdo natë që prej shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator. Në to janë parë rregullisht edhe deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të tjerë politikë.

Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së; si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e tyre.

Gërvalla është kritikuar nga organizatorët e protestave për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›