E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Dialogoni për reformat kyçe, duhet transparencë për ligjet dhe zbatim në praktikë

Nxitimi për të miratuar ligjet në funksion të procesit të integrimit në Bashkimin Europian nuk duhet të shkaktojnë ngërçe sa i përket transparencës së Kuvendit.

Ky ishte mesazhi i Ambasadores së BE në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, e cila theksoi se puna e parlamentit duhet të jetë gjithpërfshirëse.

“Shpejtësia nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen e parlamentit dhe bërjen publike të ligjeve. Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohen. Parlamenti ka një rol kyç për ta realizuar një gjë të tillë. Një parlament transparent është një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të shëndoshë”, tha ambasadorja.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kreu i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Marco Tarquinio. Ai i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës që të vijojnë punën së bashku.

“Nga Brukseli dhe Strasburgu po ndjekim gjithçka që po zhvillohet këtu. Ajo që po ndodh në Shqipëri është spektakolare sa i takon negocimit të kapitujve, kapituj që hapen, kapituj që mbyllen. Është mbresëlënëse, por duhet të sigurohemi që të vihen në zbatim në terren dhe kjo i takon zyrtarëve dhe përfaqësuesve tuaj që t’i ndjekin. E di që mes opozitës dhe pozitës ka debate, por e rëndësishme është të vazhdohet të punohet për të patur një klimë më të qetë”, tha Tarquinio.

Megjithatë, përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës vijuan akuzat e ndërsjellta përpara përfaqësuesve të Parlamentit Europian.

“Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar t’i përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar”, tha kreu i Grupit tw PD, Gazment Bardhi.

“Nuk është e vërtetë që Kuvendi bën ligje me porosi. Është çështje këndvështrimesh dhe jeni të mirëpritur t’u drejtoheni organeve të drejtësisë”, tha kreu i Grupit tw PS, Taulant Balla.

Gjatë mbledhjes është folur edhe për ish-numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, pasi një nga eurodeputetët ngriti shqetësimin për mosheqjen e imunitetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›