E Enjte, 5 Nëntor 2026

PL: Ndihma financiare për studentët nga rrethet, e pamjaftueshme

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Partia e Lirisë ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp nëpërmjet zëdhënëses Dea Nako, ku në fokus ishin studentët që vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë dhe përballja me sfidat e përditshme, jo vetëm ato të natyrës financiare.

“Viti i ri akademik po sjell sfida të mëdha për studentët që vijnë nga rrethet në Tiranë, të cilët përballen me një rritje të konsiderueshme të kostos së jetesës. Kjo situatë e vështirë e bën të pamundur për shumë prej tyre të përballojnë shpenzimet pa ndihmën e familjarëve. Çmimet e ushqimeve, qirave dhe shërbimeve janë rritur ndjeshëm, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për të rinjtë që ndjekin studimet”, u shpreh Nako.

Mungesa e ndihmës financiare si bursat, sipas saj, janë të pamjaftueshme dhe nuk përputhen me rritjen e kostove të jetesës. Kërkesat për rritjen e buxhetit për arsimimin e lartë kanë rënë në vesh të shurdhët, sepse “prioritet për këtë qeveri nuk janë aspak studentët, por pagesat për aferat korruptive”.

“Një studim nga Shkolla e Ekonomisë tregon se çmimi i qirave për apartamentet në Tiranë është rritur ndjeshëm, duke arritur deri në 150% në disa zona. Kjo rritje ka bërë që shumë studentë të mos mund të gjejnë strehim të përballueshëm afër universiteteve, pasi përballen me çmime që arrijnë deri në 400€ për një apartament 1+1, pa përfshirë shpenzimet për ujë dhe energji”, shtoi Nako.

Një tjetër pikë në fokus të PL-së duket se është edhe braktisja e universiteteve, që sipas kësaj partie ka çuar në një alarm për arsimin e lartë, me të dhëna që tregojnë se më shumë se gjysma e kuotave në universitetet e vendit janë bosh. “Statistikat tregojnë se 41.3% e degëve janë në rrezik mbylljeje për shkak të mungesës së studentëve, dhe 42.8% e programeve prioritare kombëtare nuk po tërheqin interes. Vetëm në vitin 2023, numri i studentëve të regjistruar është ulur me 2321, një shenjë alarmante për të ardhmen e arsimit të lartë. Degët e mësuesisë, si fizika dhe kimia, po ashtu janë në rrezik mbylljeje për shkak të mungesës së studentëve. Kjo situatë e vështirë po e çon arsimin universitar drejt një humnere, duke ngritur pyetje mbi përparësitë e qeverisë për arsimin.”

PL shprehet se qeveria deri tani ka dështuar në ofrimin e alternativave reale për të rinjtë, dhe duket se arsimi nuk ka qenë një prioritet. Sipas PL, fuqizimi i arsimit vjen përmes politikave reale që përfshijnë rritjen e buxhetit për arsim në nivelin 5% të GDP, financimin e kërkimit shkencor dhe zhvillimin e strategjive specifike për çdo degë e program studimi.

“Partia e Lirisë e ka vendosur arsimin si një nga pesë prioritetet e saj, duke besuar se fuqizimi i tij është çelësi për të ndalur braktisjen dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë shqiptarë”, përfundon Nako.

Deklarata e Sekretares për Familjen dhe Kundër Shpopullimit, Brunilda Haxhiu

Sekretarja për Familjen dhe Kundër Shpopullimit në Partinë e Lirisë, Brunilda Haxhiu, në një deklaratë për mediet ditën e sotme, thekson se Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë së saj në rrezik të varfërisë, një përqindje shumë më e lartë në krahasim me rajonin dhe Bashkimin Europian.

“Në Shqipëri varfëria është ekstreme. 31% e asaj që prodhon ekonomia shqiptare shkon për t’u ushqyer, nga 6.6 % në Europë. Shqiptarët kanë të ardhurat më të ulëta në Europë, por çmimet janë sa në shtetet më të pasura. Kjo bën që pjesa më e madhe e shpenzimeve të shkojë për t’u ushqyer, duke lënë hapësirë të pakonsiderueshme për shpenzime të tjera si komunikimi, kultura”, shprehet ajo.

Sipas PL, Shqipëria ka mbetur vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë në raport me prodhimin e brendshëm buto si dhe për konsumin individual për frymë, që është një tregues i mirëqenies materiale. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, me diferencë të ndjeshme nga rajoni. Ky tregues është për Shqipërinë sa 40% e mesatares europiane. Pra, familjet shqiptare kanë mirëqenien më të ulët në rajon.

Partia e Lirisë e vlerëson familjen dhe mirëqenien e saj si prioritetin kryesor, thuhet në dekklaratë, ndaj është e vendosur të ndjekë politika sociale në mbeshtetje të familjes, çifteve të reja, nxitjes së lindshmërisë, bonusit të bebes, strehimit, kreditimit të të rinjve, mbështetjes së PAK.

“Ne jemi të sigurt se duke zbutur varfërinë në familjet shqipare, do të reduktojmë stresin, do të zbusim divorcet dhe dhunën brenda familjes. Të gjithë bashkë duhet të forcojmë familjen shqiptare duke ndalur varfërinë ekstreme”, mbyll deklaratën për mediet sekretarja për Familjen dhe Kundër Shpopullimit në Partinë e Lirisë, Brunilda Haxhiu.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›