PL: Të ulet TVSH për ushqimet bazë

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli deklaroi sot se në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të EUROSTAT, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në pjesën më të madhe të vendeve europiane.
“Edhe pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në Europë, qytetarët shqiptarë paguajnë 50% më shtrenjtë për ushqimet se sa qytetarët europianë”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar EUROSTAT, Memelli theksoi se “shqiptarët shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave mujore vetëm për ushqime”.
“Ndërkohë që vendet e rajonit ndihmojnë prodhuesit, në Shqipëri fermeri lë tokën bosh dhe ikën nga vendi. Partia e Lirisë ka një qëndrim të qartë dhe të panegociueshëm: ulje urgjente të TVSH-së për ushqimet bazë; subvencione direkte dhe reale për bujqësinë dhe prodhimin vendas; kontroll dhe transparencë mbi çmimet në tregun ushqimor dhe konkurrencë e ndershme”, theksoi ajo.
/m.m/j.p/