PL: Zhvillimi i turizmit të kthehet në politikë konkrete, jo propagandë

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet foli për turizmin në vend që sipas saj është shumë larg realitetit që serviret në media.
Haxhiu theksoi se “turistët ndeshen në rrugë me gropa dhe se në zonat turistike ka mungesë uji dhe energjie”.
Sipas Haxhiut qeveria nuk përcakton qartë shifrat e turistëve që hyjnë në kufi “nëse ata janë tranzit, janë për shërbime dentare, estetike apo për të shijuar bukuritë tona natyrore dhe vlerat historike”.
“Turizmi në Shqipëri është një flluskë që po fryhet pafund nga propaganda mediatike”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se “realiteti në Shqipëri flet për rruge të amortizuara që të çojnë drejt destinacioneve turistike, për mungese të sinjalistikës dhe shërbimeve minimale. Çmimet e shfrenuara shpesh shoqërohen me cilësi të ulët të shërbimeve dhe jo profesionale. Trashëgimia kulturore po mbulohet nga betoni dhe ndërtimet pa kriter”.
Në mbyllje të deklaratës së saj Haxhiu tha se Partia e Lirisë e vlerëson turizmin si një mekanizëm real të zhvillimit të ekonmisë.
Sipas Haxhiut që ta arrihet kjo duhet të ndërtojmë një realitet të qëndrueshëm.
“Turizmi zhvillohet me planifikim afatgjate, infrastrukture reale, qe nxit turizmin gjithëvjetor në të gjithë Shqipërinë. Mbrojtje të pasurive natyrore dhe kulturore duke i konsideruar ato si asete të pakthyeshme kombëtare. Operatoret lokale, gratë, të rinjtë dhe komunitetet qe jetojnë prej turizmit kane nevoje te padiskutueshme për mbështetjen e shtetit për te zhvilluar bizneset e tyre”, tha Haxhiu.
Haxhiu nënvizoi se “zhvillimi i turizmit duhet të kthehet sa më parë në politikë konkrete. Çdo sezon turistik që ushqehet me propagande mediatike është një sezon i humbur”. /m.q/ /a.g/