E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-PD, “ok” për “zgjedhoren”, mazhoranca pranon kërkesat e opozitës

Javën e ardhshme pritet që Parlamenti të hapë rrugë nisjes së reformës së re zgjedhore.

Damian Gjiknuri, i cili do të drejtojë këtë reformë nga ana e Partisë Socialiste, lajmëroi se janë plotësuar të gjitha kërkesat e Partisë Demokratike për të pasur barazi anëtarësh dhe asistencën e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, dhe gjithçka është gati që të nisë puna për reformën.

“Kemi rënë dakord edhe në lidhje me pretendimet apo vërejtjet në lidhje me përfaqësimin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku shumica do të ketë përfaqësim të barabartë, duke ruajtur ekuilibrin shumicë-pakicë që do krijojë premisat për konsensus”, tha Damian Gjiknuri.

Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD kanë rreth dy dekada që punojnë për reformat zgjedhore, dhe të dy politikanët nuk e kanë fshehur skepticizmin për rrugën që kanë ndjekur reformat zgjedhore në vend. Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, vuri në dukje se pa vullnet politik për konsensus, reforma do të dështojë.

“Gianni Buquicchio ka thënë që Shqipëria ka qenë klient i përhershëm. Unë e shoh me doza ironie. Fakti që pas çdo reforme t’i drejtohemi Venecias si pacient, do të thotë që nuk vetëshërohemi, por kërkojmë mjek.”

“Lista e çështjeve për t’u diskutuar është e gjatë, është e vlefshme, mund të ketë të tjera, por nëse presi do të jetë i gabuar – ai i reformës zgjedhore në një parlament i cili nuk ka vullnetin politik – edhe kjo reformë zgjedhore mund të dështojë sërish. Kështu që kjo është pikëpyetje e madhe: a do të ketë vullnetin politik që sot nuk është, dhe cili do jetë procesi, me cilin? Pra, do t’ia hedhim njëri-tjetrit në fund, apo do të bashkëndajmë një reformë zgjedhore me synim për ta bërë mirë, por duke mbajtur përgjegjësi së bashku edhe për ato gjëra që s’i kemi bërë mirë?”, Oerd Bylykbashi, depueti i PD.

Për opozitën, reforma zgjedhore duhet të ketë një prioritet: ndryshimin e sistemit.

“Ne sot kemi një sistem zgjedhor i cili duhet hequr në mënyrë urgjente. Është kthyer në një nga elementët më toksikë në raport me demokracinë dhe pluralizmin shqiptar. Se çfarë duhet të jetë sistemi, duhet të jetë tryezë e një debati të gjerë që ndoshta do të kapërcejë edhe një reformë. Një tryezë, një komision reforme zgjedhore duhet të jetë shumë më i gjerë në diskutim. Po sot, këtë s’mund ta them. Ama, ajo që mund të them me bindje është që ky sistem duhet të iki.”

Partia Demokratike kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor prej vitit 2020, kur PS shfrytëzoi djegien e mandateve dhe ndryshoi Kushtetutën, duke hequr koalicionet me listën e përbërë. Por deri më tani, duket pothuajse e pamundur që PS të pranojë ndryshimin e një sistemi që i ka siguruar PS-së dhe Edi Ramës mandatin e tretë dhe të katërt.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›