PS, nis proçesi i numërimit të votave për Asamblenë
Ka nisur proçesi i numërimit të votave në selinë e Partisë Socialiste, në të cilin merr jetë Asambleja e re kombëtare e saj. Numërimi po kryhet nga tre grupe me nga gjashtë anëtarë secili. Emrat e anëtarëve të Asamblesë pritet të dalin me përfundimin e numërimit të votave që 1500 delegatë hodhën gjatë kongresit të socialistëve të shtunën.
Numërimi i votave ishte lënë për ditën e djelë por për shkak të festës së Kurban Bajramit u përcaktua që numërimi i votave të kryehet ditën e sotme duke formësuar kështu listën me 121 anëtarët e zgjedhur për Asamblenë.
Delegatët nga i gjithë vendi votuan një listë me 186 kandidatë për të zgjedhur 121 prej tyre, ku 80 do të jenë burra dhe 41 gra. PS përmbush kështu kuotën e 30% të përfaqësimt të grave njësoj siç parashikon kodi zgjedhor por edhe statuti i PS-së. Në listën e kandidatëve bien në sy emra të njohur nga shoqëria civile por edhe eksponentë të njohur të selisë rozë, të larguar pas vitit 2005.
Kështu në listë shfaqen emra surprizë si pedagogia Iris Luarasasi, apo ish-anëtarja e kryesisë socialiste Vjollca Ibro, që pas 2009 nuk ka qenë pjesë e asnjë forumi socialist. Pjesë e kandidaturave janë edhe ish-prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, ish-ambasadori Bashkim Zeneli apo diplomati Dritan Hila.
Asamblesë kombëtare i rikthehet ish-ministri Anastas Angjeli, ish kreu i PS-së së Tiranës Musa Ulqini, dhe ish-ministri i energjitikës Viktor Doda. Kryesocialisti Edi Rama ka sjellë në Asamblenë e re dhe ish deputetin e qarkut të Vlorës, Mezan Malaj, dikur pjesë e lëvisjes për mendimin ndryshe.
Në total, Asambleja e re kombëtare do të ketë 250 anëtarë, por një kategori e tyre si deputetë, krerët e PS-së në rrethe, ish-presidentët hyjnë automatikisht. Kjo Asamble pritet që në ditët në vijim të zgjedhë edhe kryesinë e re të PS-së dhe sekretariatin.