E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak studentë për gjuhët e huaja! Treg ka, por mungon informacioni tek të rinjtë

Zgjedhja e një gjuhe të huaj shoqërohet shpesh me mëdyshje, sidomos kur bëhet fjalë për tregun e punës, megjithatë studentë që ë kanë zgjedhur, e shohin si një portë që hap mundësi të shumta profesionale.

“Për studimet këtu ishin shumë të dëshiruara, ishte zgjedhja ime e parë. Tregu i punës është shumë i hapur brenda dhe jashtë vendit”.

Një nga pengesat kryesore për të rinjtë që kërkojnë punësim mbetet kërkesa për eksperiencë, edhe kur bëhet fjalë për studentë ende në proces studimi.

“Nuk jam e punësuar, pasi zakonisht kërkohet eksperienca. Duke qenë se jam në vit të dytë, uroj që vitin tjetër të kem mundësi të punësohem, nëse bëj praktikë gjatë verës, si në studio përkthimi”.

Edhe për Andin, vendimi për të ndjekur gjuhët e huaja ka qenë i menjëhershëm, i bindur se tregu i punës ofron hapësira.

“Në fakt e kisha menduar të qartë, e kisha menduar edhe konsultuar, për ta perfeksionuar gjuhën italiane. Ka kërkesë të lartë”.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në fakt, nuk kufizohet vetëm në profilet tradicionale, por ofron edhe degë më pak të njohura për maturantët, por me potencial punësimi.

“Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike është më i vjetri në Universitetin e Tiranës. Ai ofron gjuhë që rrallë gjenden në universitete të tjera, si turqishtja, bullgarishtja, rusishtja, polonishtja, sllovakishtja dhe së fundmi edhe ukrainishtja. Ata studiojnë të paktën tre gjuhë të huaja dhe mund të punësohen në turizëm, zyra përkthimi, institucione shtetërore, tregti të jashtme apo kompani ndërkombëtare”, tha Adratik Derjaj, përgjegjës i departamentit të gjuhëve sllavo-ballkanike.

Sipas drejtuesit të departamentit, sfida kryesore nuk lidhet me mungesën e tregut të punës, por me mungesën e informacionit mbi alternativat që ofron.

“Do të donim të kishim më shumë grupe? Patjetër, por me këto grupe që kemi jemi në standarte didaktike. Për vitin akademik 2025–2026 kemi parë një rritje prej 15–20% krahasuar me vitin që lamë pas. Pra, trendi është në rritje”, shtoi Derjaj.

E veçanta e këtij viti është edhe mundësia që të rinjtë e Universitetit të Tiranës, nga çdo fakultet, të ndjekin gjuhën e huaj që preferojnë, paralelisht me studimet e tyre.

“Studentët e universitetit të Tiranës të fakulteteve të tjera kanë të drejtën të zgjedhin një nga gjuhët dhe t’i mësojnë për një ose dy semestra, sipas dëshirës. Në fund, në diplomën e tyre do të shënohet, si një dëshmi që i shoqëron gjithë jetën”.

Sipas raportit të qendrës së shërbimeve arsimore për vitin akademik 2024-2025, nga numri total prej 21 546 studentësh të regjistruar, rezulton se 484 ndjekin programet e gjuhëve të huaja, ku Universiteti i Tiranës, numëron 316 studentë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›