E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Nga zonat më malore të veriut të Shqipërisë e deri në skajin më jugor të saj, interesi i qytetarëve për të përfituar nga “Paketa e Maleve” është i lartë.

Prej tri javësh qytetarët po shprehin interes për të marrë në pronësi tokën në mënyrë që më pas të zhvillojnë në projekt biznesi.

Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se, “janë 3175 shprehje interesi që kanë ardhur në këtë platformë. Janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë por zonat me kërkesë më të madhe janë ato zona ku edhe ka pasur mungesë të titujve të pronësisë. Përgjithësisht në veri dhe në juglindje të vendit”.

Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur hapat që po ndiqen për zbatimin e Paketës së Maleve.

“Hapi i radhës është përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi, gjë që do të bëhet nga ana e bashkive, pra secila bashki do të shpallë zonat me përparësi zhvillimi në territorin e vet. Bashkitë po punojnë për shpalljen e këtyre zonave. Kur të shpallen zonat, qytetarët që kanë shprehur interes do të duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë bashkive”, tha ai.

Pasi të jenë miratuar “zonat për zhvillim”, do të nisë aplikimi real i qytetarëve, ku duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh për të përfituar pronën.

Aplikimi real i qytetarëve me dokumentacionin përkatës që do të nisë pas shpalljes së zonave me përparësi zhvillimi nuk do të ketë afat, të gjithë qytetarët që mund të përfitojnë nga ky ligj do të mund të aplikojnë dhe përfitojnë për sa kohë ligji të jetë në fuqi dhe s’do ketë afat kufizues.

“Do të dorëzojnë një genplan të sipërfaqes që ata duan të zhvillojnë së bashku me planin e biznesit se si duan ta zhvillojnë dhe dokumentacionin që mbështetet faktin që janë zotërues të asaj prone. Pastaj bashkia bën verifikimin nëse prona plotëson kriteret për t’u dhënë në përdorim, më pas miratohet lista e zotëruesve faktikë”, thotë Musabelliu.

Ai bëri të ditur se, “qëllimi është dhënia e tokës në pronësi për ta zhvilluar për ekonominë malore dhe do ta kenë të gjithë ata që do të plotësojnë kriteret për të marrë pronën. Por lehtësitë i përfitojnë vetëm 500 të parët”.

Për 500 të parët për 10 vite nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë, taksë të pasurisë së paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi fitimin.

Fokusi i “Paketës së Maleve” do të jetë në veri, një hap që vlerësohet për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur punësimin.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›