E Diel, 1 Nëntor 2026

Paqja fiskale në fuqi- Fillim i ri financiar për mbi 200 mijë biznese, fshihet çdo borxh i krijuar para 2014-ës

Ligji i fshirjes së borxheve ka hyrë zyrtarisht në fuqi nga 1 janari i vitit 2026-të dhe do të jetë aktiv deri më 31 dhjetor të po këtij viti. Qëllimi i tij është i qartë: pastrimi i bilanceve të bizneseve dhe largimi i detyrimeve të vjetra që rëndojnë mbi ekonominë.

Brenda kësaj periudhe, administrata tatimore dhe doganore duhet të fshijnë nga bilancet çdo borxh të krijuar para 31 dhjetorit 2014, duke u dhënë bizneseve mundësinë të rifillojnë pa barrën e detyrimeve të trashëguara.

Nga kjo nismë preken rreth 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara, me përfitues mbi 200 mijë biznese.

Një pjesë e madhe, rreth 1 miliard euro, i përket detyrimeve të krijuara nga vitet 90 deri në fund të 2014-ës.

Ligji përfshin edhe faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, si dhe detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në vitin 2014, duke çliruar bizneset nga barrë financiare e grumbulluar për dekada.

Me këtë pastrim historik të bilanceve, qeveria synon stabilitet fiskal, përmirësimin e likuiditetit të bizneseve dhe rritjen e besimit në treg, duke krijuar një start të ri për ekonominë.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›