E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Parajsa e pazbuluar e Mesdheut”/ Revista spanjolle El Nacional rekomandon Shqipërinë

Nëse dëshironi të zbuloni destinacione që ende nuk janë mbushur me turma turistësh, zgjidhni Shqipërinë. Kështu shkruan revista spanjolle “El Nacional”, teksa nënvizon se vendi ballkanik po fiton dalëngadalë titullin si parajsa e pazbuluar e Mesdheut.

“Një nga zonat më të famshme të plazhit ndodhet në jug, në Ksamil , ku kilometrat e rërës së bardhë dhe uji kristal magjepsin të gjithë vizitorët. Ksamili është një kamp bazë ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare, siç është Syri i Kaltër”, thotë El Nacional.

Pavarësisht se një pjesë e mirë janë plazhe private, revista spanjolle shkruan se çmimet janë të përballueshme për vizitorët. Veçon parkun e Butrintit, vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që sipas saj nuk duhet humbur nga turistët. Për adhuruesit e maleve, sugjeron Thethin e Valbonën.

Ndërsa për vizitorët që nuk kanë dëshirë për shëtitje të gjata, rekomandon të vizitojnë Gjirokastrën dhe Berati, qendra historike, pamje mahnitëse dhe arkitekturë të veccantë.

Gastronomia shqiptare zë një vend të veçantë në artikull, një arsye më shumë sipas medias spanjolle se përse turistët duhet ta vizitojnë Shqipërinë. Veçon byrekun, si një nga gatimet tipike dhe më të njohura, teksa shton se kuzhina shqiptare është një ndërthurje unike edhe e ndikime turke, ballkanike e mesdhetare. / abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›