E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parakalim i gabuar, shpejtësi e lartë dhe drejtim mjeti i dehur, Policia e Gjirokastrës pezullon brenda një jave 24 patenta

Policia e Gjirokastrës ka zhvilluar monitorime intensive me dronë, radarë dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe menaxhimin e trafikut, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Gjatë një periudhë një javore, policia ka proceduar 3 drejtues mjetesh si dhe ka pezulluar 24 leje drejtimi.

Po gjatë të njëjtës periudhë, nga 17 gushti deri në 23 gusht, janë vendosur 1383 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, duke nisur nga parakalimet e gabuara te shpejtësia tej normave dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.

Njoftimi i plotë:

Policia Rrugore e Gjirokastrës/Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror. Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 17-23.08.2026, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 24 leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1383 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

288 masa për parakalime të gabuara;

449 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

455 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;

14 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

2 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;

4 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

171 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore. Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›