E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi i SHBA për demonstratat, Syla: Nuk presim përkeqësim të situatës

PRISHTINË, 14 shtator/ATSH/ Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se nuk pret përkeqësim të situatës më 16 shtator, ditën kur në Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Syla thekson për KosovaPress se, OVL-UÇK nuk ka informacione për ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës, ndërsa ka bërë të ditur se veteranëve u është bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Në prag të kësaj date, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një paralajmërim për sigurinë, duke bërë të ditur se më 16 shtator priten demonstrata të mëdha. Ambasada ka këshilluar gjithashtu personelin e Qeverisë amerikane që të shmangë udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.

Syla, për KosovaPress ka thënë se edhe ish-ushtarët e UÇK-së, janë “ushtarë amerikanë”, prandaj sipas tij, nga ana e OVL-së nuk do të ketë përshkallëzim të situatës.

“E kemi pa reagimin e Ambasadës Amerikane, kjo ka ndodhur në bazë të një analize të tyre. Si OVL, nuk kemi ndonjë informacion të mundshëm për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë, se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim apo incident, po flas në emër të atyre që përfaqësojmë. Sa i përket Policisë, kjo është punë e tyre. Ne u kemi bërë thirrje veteranëve, që të jenë të qetë dhe të përmbajtur”, ka thënë Syla.

Ai ka folur edhe për situatën në raport me komunitetin serb në Kosovë, duke kërkuar që edhe ky komunitet të jetë i qetë më 16 shtator.

Sipas njoftimeve të tij, komuniteti serb në Kosovë, kishte kërkuar që të zgjatë festën e unitetit kombëtarë serb edhe më 16 shtator. Syla ka theksuar se si OVL UÇK nuk do të jetë asnjë vendim tjetër i pranueshëm përveç lirimit të tyre.

Ai, ka thënë se asnjë vendim gjyqësorë nuk mund ta shpallë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë kriminale.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Octapus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se 16 shtatori është një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe se masat e sigurisë nga institucionet nuk duhet të interpretohen si paragjykim i verdiktit.

Fetoshi ka thënë se nuk pret një verdikt dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke argumentuar se një vendim i tillë, sipas tij, do të kishte pasoja për mënyrën se si interpretohet lufta e vitit 1999.

Sipas tij, një vendim dënues do të konfirmonte tezat e Serbisë për kriminalizimin e UÇK-së dhe vendimit të NATO-s për të ndihmuar popullin e Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dalë me një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për demonstratat e paralajmëruara në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për masa të shtuara të sigurisë në ditën e shpalljes së aktgjykimit. Sipas Policisë, masat janë pjesë e planifikimit dhe angazhimit institucional për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka mbajtur të hënën edhe takim koordinues me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja.


/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›