E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parandalimi i kancerit të gjirit, Poliklinika e Korçës me orare të zgjatura për ekzaminime falas

Tetori shënon muajin e ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, dhe në këtë kuadër, kabineti i mamografisë pranë poliklinikës së qytetit të Korçës do të punojë me orare të zgjatura, për t’u dhënë mundësi të gjitha grave të kryejnë kontrollin mjekësor.

Vetëm gjatë muajit tetor të vitit të kaluar janë kryer 1067 ekzaminime të gjirit, ndërsa këtë vit, apeli për rritjen e ndërgjegjësimit vjen edhe nga vetë gratë që kanë kaluar procesin e kontrollit.

“Pesë vjet kam që jam operuar, kam ecur shumë mirë. Vazhdimisht duhen bërë analizat, çdo 6 muaj. I rekomandoj të gjitha nënave, grave dhe vajzave të bëjnë sa më shumë kontrolle sepse pa u kontrolluar nuk arrin të verifikosh çfarë ke”, shprehet qytetarja.

“Vit për vit kontrollohem. Të gjitha gratë të ndërgjegjësohen dhe të vijnë të kontrollohen, sepse është për shëndetin e tyre” bëri thirrje një tjetër.

“Të jenë të gatshme ta bëjnë këtë sepse shteti bën çmos që gratë të jenë me shëndet të mirë” apeloi një tjetër qytetare.

Stafi i promocionit pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Korçë ka nisur fushatën vjetore që synon të theksojë rëndësinë e kontrollit të hershëm, informimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Fushata do të shtrihet në institucione shtetërore dhe subjekte private, duke bërë thirrje që çdo grua të kujdeset për shëndetin e saj, pasi diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›