E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalohet vrasja në Elbasan, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar apel për dialog

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Një ngjarje e rëndë e ndodhur mesditën e sotme në Elbasan, ku u tentua të vritej me armë zjarri një 50-vjeçar, është parandaluar falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Policisë, ndërsa autori i dyshuar është vënë në pranga.

Policia bëri të ditur se rreth orës 13:00 mori njoftim se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasi P. B., 52 vjeç.

Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit tip pistoletë, me të cilën dyshohet se u krye tentativa për vrasje.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar, e cila shprehu shqetësimin për incidentin dhe vlerësoi faktin që u shmang humbja e një jete njerëzore.

“Çdo akt dhune, kërcënimi apo përdorimi i armëve është i papranueshëm dhe cenon jo vetëm jetën e individit, por edhe qetësinë dhe sigurinë e gjithë komunitetit”, thuhet në deklaratën e Qendrës.

Qendra thekson rëndësinë e punës së institucioneve për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbatimin e ligjit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen për pasojat e dhunës dhe të promovojnë dialogun, vetëpërmbajtjen, respektin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Në deklaratë nënvizohet gjithashtu tradita e Elbasanit për bashkëjetesë, tolerancë dhe respekt ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se ruajtja e kësaj fryme është përgjegjësi e institucioneve, familjeve, shkollave, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari.

“Jeta njerëzore është e shenjtë. Konfliktet zgjidhen me dialog dhe ligj, jo me armë. Paqja dhe siguria fillojnë nga secili prej nesh”, përfundon deklarata e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›