Parku Diellor i Karavastasë, më i madhi në Ballkan, Ministrja Balluku: Nga importues në eksportues deri në 2030

Në një ceremoni të mbajtur për përurimin e parkut më të madh fotovoltaik në Ballkan, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vlerësoi investimin e kompanisë franceze Voltalia si një moment kyç për sektorin energjetik dhe për marrëdhëniet Shqipëri–Francë.
“Voltalia është thyesi i akullit për investimet e huaja në energjinë shqiptare,” deklaroi Balluku, duke nënvizuar se suksesi i këtij projekti ka qenë thelbësor për të ndërtuar besimin te investitorët ndërkombëtarë.
Ministrja përmendi gjithashtu se kur mori detyrën, situata me investimet e huaja nuk ishte e favorshme. Por falë bashkëpunimit me trupin diplomatik, përfshirë ambasadorët francezë dhe shqiptarë, si dhe me mbështetjen e Kryeministrit Rama, Shqipëria sot është kthyer në një vend tërheqës për investime energjetike.
Parku i Karavastasë jo vetëm që thyen rekordet në rajon për madhësinë dhe çmimin e energjisë, por është pjesë e strategjisë së Qeverisë shqiptare për të arritur 30% të prodhimit energjetik nga dielli deri në vitin 2030.
“Nga një vend i varur nga reshjet, sot Shqipëria ka 10% të energjisë nga parqet diellore. Në 2030 synojmë të bëhemi eksportues neto,” u shpreh ministrja.
Balluku vuri në dukje se përparimi në sektorin energjetik është një ndër argumentet më të forta të Shqipërisë në procesin e integrimit europian:
“Energjia është sektori ku Shqipëria përmbush plotësisht standardet e BE-së, nga ligjshmëria te operimi.”
Ajo përmendi gjithashtu deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, sipas të cilave Shqipëria, me ritmet aktuale, mund të përmbyllë negociatat brenda vitit 2027, duke hapur rrugën për anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.
“Kemi lindur në zemër të Europës dhe aty i takojmë, jo për retorikë, por sepse kemi ndërtuar një sistem që e meriton të jetë pjesë e BE-së,” tha Balluku, duke shtuar se projektet si ai i Karavastasë janë “prova konkrete të këtij rrugëtimi.”
Në fund, ajo ftoi të pranishmit në përurimin e ardhshëm në parkun e Spitallës, duke sugjeruar edhe investime të integruara me energjinë e erës, për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të qëndrueshme energjetike në rajon.
/vizionplus.tv