E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas 5 ditësh pa ujë, Vlora rikthehet në normalitet. Drejtori i Ujësjellësit: Nga sot nis furnizimi gradual

Furnizimi me ujë në qytetin e Vlorës do të rinis gradualisht këtë të martë pas riparimit të defektit në linjën kryesore të transmetimit. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, i cili gjatë një interviste për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, tha se gjatë natës është kryer instalimi i pajisjes së re dhe gjatë mëngjesit janë realizuar testimet teknike.

Sipas Muratit, ka nisur aktivizimi gradual i stacionit të prodhimit dhe furnizimi i depos së qytetit, ndërsa gjatë ditës pritet të vijojë shpërndarja e ujit në të gjithë territorin e Vlorës. Furnizimi ka nisur edhe në zonën e Lungomares dhe përgjatë bregdetit.

“Gjatë natës është bërë instalimi i pajisjes, e cila është testuar gjatë mëngjesit dhe kemi filluar në mënyrë graduale pjesën e aktivizimit të stacionit të prodhimit dhe furnizimin e depos së qytetit. Gjatë ditës do të vijojë furnizimi me ujë i qytetit. Për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit ka nisur furnizimi me ujë. Po ndjekim protokollet për mënyrën e operimit dhe furnizimit me ujë të qytetarëve dhe jemi ende nën monitorim, duke pasur parasysh se kemi kaluar një situatë shumë serioze prej disa ditësh”, tha Murati.

Drejtori i Ujësjellësit bëri me dije se procesi po zhvillohet nën monitorim të vazhdueshëm dhe sipas protokolleve të sigurisë, për shkak të situatës së rëndë që qyteti ka përjetuar gjatë ditëve të fundit.

Sipas Muratit, avaria u shkaktua nga çarja e një tubacioni plastik me presion të lartë në rrjetin e transmetimit. Me mbërritjen e pjesëve nga Turqia, lidhja e tubacionit u realizua me sukses dhe linja u rikthye në funksion.

“Dëmtimi i rrjetit të transmetimit, duke qenë se bëhet fjalë për një tubacion me presion të lartë, ka shkaktuar avari. Me ardhjen e pjesëve nga Turqia kemi realizuar lidhjen e rrjetit të transmetimit. Ky është një rrjet plastik dhe çarja ka ndodhur si pasojë e presionit të lartë, ndaj kemi izoluar linjën për çështje sigurie. Kemi pasur ndihmë nga Bashkia Vlorë, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Agjencia Kombëtare, si dhe mbështetje nga rajone të ndryshme për furnizimin me botë me ujë, si edhe nga inxhinierë dhe specialistë të ndryshëm, për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike”, tha ai.

Në përfundim, drejtori i Ujësjellësit u kërkoi ndjesë qytetarëve të Vlorës për mungesën disa ditore të ujit, duke theksuar se normalizimi i plotë i furnizimit pritet të realizohet gradualisht.

Defekti la pa ujë të gjithë qytetin për rreth pesë ditë, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të forta nga ana e banorëve.

Një ditë më parë, qytetarë të shumtë të Vlorës u mblodhën para Bashkisë për të kërkuar zgjidhje urgjente për mungesën e ujit të pijshëm. Me bidonë në duar, ata protestuan përpara godinës së bashkisë, ndërsa situata u shoqërua me tensione. Gjatë protestës, disa qytetarë hodhën vezë drejt ndërtesës dhe tentuan të shtyjnë efektivët e policisë që kishin rrethuar zonën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›