Pas Kukësit, PD ankimon rezultatin edhe për Beratin: Të përsëriten zgjedhjet

Partia Demokratike ka depozituar një ankim zyrtar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultatit zgjedhor në qarkun e Beratit. Në kërkesën e saj, PD kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së të gjithë procesit zgjedhor në këtë zonë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Ky është ankimi i dytë i bërë nga PD, pas atij në qarkun e Kukësit, ku megjithëse rezultoi forcë e parë me dy mandate kundrejt një mandati të PS-së, partia pretendon për parregullsi të rënda si blerje votash, manipulim të votës së diasporës dhe ndërhyrje në favor të mazhorancës.
Koalicioni PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka theksuar se nuk do të ndalet me këto dy qarqe, por do të ndjekë të njëjtin proces edhe për qarqet e tjera, duke e cilësuar procesin e 11 majit si një “masakër zgjedhore”.
Ndërkohë, KQZ ka certifikuar zyrtarisht rezultatin për të 12 qarqet, duke i dhënë Partisë Socialiste 83 mandate, PD-ADSHM 50 mandate dhe 7 mandate për forcat e tjera të vogla politike, përfshirë PSD, Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet.
/vizionplus.tv