E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas divorcit detyron gruan të vetëhelmohet, arrestohet

Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur Bledar Latifaj, 33 vjeç, rreth orës 03:00 ka shkuar në fshatin Pluk të rrethit Lushnjë, duke u futur në banesën e ish- bashkëshortes së tij. Kjo e fundit është gjendur në befasi, pasi në momentin që Latifaj i është futur në banesë, ajo ishte në gjumë. Sipas dëshmisë së dhënë pas ngjarjes në polici, autori është futur nga dritarja. Ish-gruaja e tij jetonte e vetme, pasi dy fëmijët e tyre i mbante vetë 33-vjeçari nga Levani i Fierit. “Policia e Lushnjës bëri të mundur ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ngelur në tentativë, shtetasi Bledar Latifaj, 33 vjeç, banues në fshatin Levan të rrethit Fier”, bëri të ditur dje policia. Mësohet se Latifaj ishte shpallur në kërkim, pasi më 10 dhjetor të këtij viti, në fshatin Pluk të Lushnjës, kishte tentuar të mbyste gruan e tij me duar. Sipas dëshmisë së kësaj të fundit, ai kishte tentuar fillimisht ta detyronte atë të pinte kokrra të ngjashme me fostoksinën. Por hezitimi i saj ka bërë që ish-bashkëshorti të tentonte ta mbyste atë. Kanë qenë ulërimat dhe thirrjet e saj për ndihmë, ato që e kanë detyruar 33- vjeçarin të largohej para se të mbërrinin të afërmit e fqinjët e saj, për t’i dhënë ndihmën. Ata sinjalizuan menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur. Ndërsa i dhanë ndihmën e parë edhe gruas, e cila shpëtoi për pak nga mbytja. Pas hetimit dhe veprimeve të kryera në vendin e ngjarjes, policia e shpalli në kërkim 33- vjeçarin, por ai u arrestua pesë ditë pas ngjarjes në fshatin Levan. Burime të policisë bënë të ditur se dosja në ngarkim të të riut i ka kaluar prokurorisë me akuzën “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”. Viktima pohoi se ishte divorcuar një vit më parë, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve që kishte pasur në familje. Ajo ishte detyruar të largohej nga banesa, ndërsa dy fëmijët e mitur i mbante ende i shoqi.

 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›