Pas fytyrës në monedhën e arit, Trump vendos firmën edhe tek dollari

Për të parën herë, pas një tradite mbi 160-vjeçare, një president amerikan do të ketë firmën e tij në kartëmonedhat e dollarit.
Departamenti i Thesarit vendosi të zëvendësojë firmën e kryearkëtarit me atë të presidentit Donald Trump, fillimisht në kartëmonedhat 100-dollarëshe.

Prerjet e reja 100-dollarëshe me nënshkrimin e Donald Trump do të printohen në qershor, për të nderuar 250-vjetorin e pavarësisë.
Nënshkrimi i tij do të zëvendësojë atë të kryearkëtarit, ndërsa firma e Sekretarit të Thesarit do të mbetet. Deri në qarkullimin e plotë të serisë së re, Thesari do të vazhdojë të prodhojë kartëmonedha me firmat e ish-zyrtarëve të administratës Biden, ish-sekretares Janet Yellen dhe ish-kryearkëtares Lynn Malerba.
Përveç firmës, Trump tentoi të vendoste fytyrën e tij në monedhën metalike 1-dollarëshe në mars, por ligji federal e bllokoi, pasi ndalon personat e gjallë në monedhat e qarkullimit. Megjithatë, u miratua një monedhë ari përkujtimore, ku Trump shfaqet me vështrim përpara dhe grushtet mbi tavolinë.
LEXO EDHE: 250-vjetori i SHBA/ Miratohet monedha e floririt 24 karat me fytyrën e Trump
Përveç parave, presidenti ka vendosur emrin dhe imazhin e tij në institucione si “Qendra Kennedy” dhe në objekte qeveritare përmes banderolave gjigante, duke kërkuar të lërë gjurmën e tij në historinë e arkitekturës së Uashingtonit.