E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas kërkesës për siguri, Durim Bami dërgohet në burgun e Peqinit

Durim Bami është transferuar sërish nga autoritetet penitenciare, këtë herë nga burgu i Fushë-Krujës drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

Lëvizja është kryer gjatë ditës së sotme, vetëm pak kohë pasi vetë Bami kishte kërkuar transferimin nga paraburgimi “313” drejt Fushë-Krujës, me pretendimin se jeta e tij ishte në rrezik.

Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të transferimit të fundit, por sipas burimeve pranë sistemit penitenciar, një nga faktorët kryesorë lidhet me çështjet e sigurisë.

Prej ditësh, në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend po zhvillohen kontrolle të shumta në qeli, si në burgjet e sigurisë së lartë ashtu edhe në ato të sigurisë së zakonshme.

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bëjnë me dije se kontrollet janë pjesë e një plani masash që synon sekuestrimin e telefonave celularë dhe sendeve të ndaluara brenda qelive.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime, synohet edhe kufizimi i takimeve speciale të disa të burgosurve VIP, për të cilët dyshohet se kanë zhvilluar takime me persona që nuk janë familjarë apo bashkëshorte të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›