Pas rrëmbimit të tokave në Rrjoll, Bashkim Ulaj në garë për kullën tek Pallati i Kongreseve. Ja kompanitë e tjera në garë

Oligarku Bashkim Ulaj duket se nuk ka të “ngopur”. Pasi po ju rrëmben tokat banorëve në Rrjoll të Velipojës dhe një sërë koncensionesh, ai është në garë për një tjetër “llokmë të madhe”.
Nga 13 kompani që shfaqën interes për të rivitalizuar Pallatin e Kongreseve, Korporata Shqiptare e Investimeve kualifikoi vetëm 5 prej tyre në fazën e dytë të konkursit.
Sipas njoftimit, kompanitë e kualifikuara ishin:
1-Shoqëria “Bami Holding” me nënkontraktor të specializuar “MVRDV B.V sh.p.k.” + “AEI Progetti Srl” + “IRI sh.p.k” + “Jason Bruges Studio Ltd” + “Charcoalblue International Ltd” + “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd”;
2-Bashkimi i Subjekteve “Concord Investment sh.p.k.” dhe “Gruppo Koni sh.p.k”, me nënkontraktor të specializuar “Perrault Architecture SASU” + “Ark. Pierre Antoine Gatier” + “Altitude 35” + “Ove Arup & Partners Ireland Ltd” + “Huesco Records” + “THARM Architects”;
3-Shoqeria “Edil AL-IT” sh.p.k., me nënkontraktorë të specializuar “ARCHI-TECTONICS” + “Edil-AL” + “PNI – 2001” sh.p.k. + “ing. Lindita Pelivani”;
4-Shoqëria “Gener 2” sh.p.k me nënkontraktor të specializuar “Studio GANG” + “AD-STAR shpk” + “Digi Print” + “Besart Papa” + “Rudina Papavasili”;
5-Shoqëria “KLAR sh.p.k.” me nënkontraktor të specializuar “Julian Beqiri & Herzog de Meuron Basel Ltd” + “Marsela Demaj” + “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” + “The Space Factory Ltd”.
Kullë e madhe
Thirrja për rivatilizimin e Pallatit të Kongreseve u shpall nga Korporata e Investimeve në fund të vitit të kaluar. Projekti parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme të Pallatit dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.
Kompania privatë që do të shpallet fituese përfiton 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50 mijë m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Me koeficientin tipik të shfrytëzimit 30-50%, kjo përkthehet në një ndërtesë deri 20 kate, që sipas planimetrisë së zonës ka gjasë të ngrihet në lulishten pas objektit, pranë rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”, pronësia e truallit, që sot shërben si park, iu kalua KISH-së nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në muajin korrik.
Projektuesve u jepet liri të ndërtojnë parking të përbashkët për godinën ekzistuese dhe kullën, ndërsa kushti i vetëm për Pallatin është “ruajtja e elementëve arkitektonikë origjinalë, pa tjetërsuar volumin ekzistues”.
Ndërhyrjet për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve u kërkuam vitin e kaluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila e administron këtë godinë. Këto ndërhyrje përfshijnë mjedise pune për Drejtorinë, ambiente zyrash, konferencash dhe hapësira multifunksionale për evente artistike dhe kulturore.
Edhe pse Pallati i Kongreseve është restauruar dy herë brenda dhjetë vitesh, gjatë vizitës së Papa Françeskut në vitin 2014 dhe për Samitin e Berlinit dy vjet më parë, Korporata e Investimeve e argumenton projektin se ndërhyrjet e bëra nuk mjaftojnë për ta sjellë objektin në standarde bashkëkohore.