Pas skandalit në Zvërnec, firma e sigurisë bëhet “kokë turku”?

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës në Zvërnec, ku u shfaqën pamje të dhunës së ushtruar nga punonjës të sigurisë private ndaj një protestuesi.
Në një deklaratë zyrtare, kompania e ka cilësuar sjelljen e shoqërisë së sigurisë si të papranueshme dhe ka njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me këtë subjekt.
Sipas kompanisë, punonjësit e sigurisë nuk kanë pasur asnjë udhëzim për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve. Ajo thekson se ndërhyrja ndaj protestuesit dhe tërheqja e tij brenda perimetrit të pronës për ushtrim force është e papranueshme moralisht dhe e dënueshme penalisht.
“Zvërnec South Adriatic Development” ka kërkuar ndjesë publike për incidentin dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për ngjarjen.
Kompania deklaron se mbetet e angazhuar për bashkëpunim me komunitetin lokal dhe se do të shtojë komunikimin me banorët e zonës në javët e ardhshme.
Në reagim thuhet gjithashtu se projekti synon të respektojë standardet më të larta mjedisore dhe të harmonizohet me natyrën, ndërsa plani përfundimtar do t’i prezantohet publikut në një fazë të mëvonshme.