Pas urdhrit të Ramës, nis lirimi i hapësirave publike në Vlorë, Task Forca dhe Dredha në terren! Kryebashkiaku: Aksioni do të vijojë

Një ditë pas ultimatumit të kreut të qeverisë, Edi Rama për lirimin e hapësirave të përbashkëta publike, të zëna në mënyrë ta pdrejtë nga biznese në qytete të ndryshme të vendit, Task Forca në Vlorë ka nisur aksiunin për lirimin e hapësirave publike.
Në terren ndodhet kryetari i bashkisë Ermal Dredha, strukturat e bashkisë dhe policisë bashkiake, të mbështetur edhe nga forcat e policisë së Vlorës nën drejtimin e drejtorit të qarkut Elidon Çela, si dhe forcat e FNSH Fier.
Aksioni synon lirimin e të gjitha hapësirave publike, jo vetëm përgjatë Lungomares, por në të gjithë qytetin e Vlorës.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, ka konfirmuar se aksioni do të vijojë çdo ditë deri në rikthimin e të gjitha hapësirave publike për qytetarët.
“Duhej bërë me kohë, këto janë të mbartura prej shumë vitesh. Duhet t’i japim vlerë hapësirës publike, të jetë për publikun dhe jo të jetë e zaptuar. Kundërshtime dhe mund të ketë, por do zbatojmë ligjin. Kjo do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, do bëjmë maksimumin që të rikthejmë të gjitha hapësirat. Është ngritur një Task Forcë prej disa ditësh që po bën kontrollin e territorit”, tha Dredha.
Në prononcimin e tij, Dredha ka komentuar edhe dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi të Bashkisë së Vlorës.
Ai theksoi se largimi i tyre ishte kërkuar prej kohësh për shkak të mungesës së angazhimit maksimal, ndërsa paralajmëroi një proces vlerësimi të detajuar për punën e secilit dhe zëvendësimin e tyre me emra të rinj, me qëllim rritjen e vëmendjes ndaj qytetit dhe zgjidhjen e problematikave./vizionplus.tv