E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pashkët katolike, besimtarë të shumtë pjesë e procesionit të “Udhës së Kryqit” në Tiranë

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Në prag të Pashkëve Katolike, në sheshin “Nënë Tereza” sot në Tiranë u organizua procesioni i “Udhës së Kryqit”, ku besimtarë të shumtë iu bashkuan këtij rituali fetar.

Me qirinj në duar dhe me lutjet në zemër, këtë mbrëmje të së Premtes së Madhe, besimtarë katolikë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë procesion solemn, i cili u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj.

Në fjalën e tij, Dodaj tha se “sot jemi me të gjithë, pavarësisht fesë apo kombit, jemi me ata që janë pre e bombardimeve”.

“Zoti është kudo, me të gjithë ata që janë në zhgënjim në çdo cep të botës. Sot kumbojnë kërcënimet, shantazhet, blerjet. Sot prevalon dhe interesi i momentit. Jemi të shënuar nga dashuria e Zotit, që futet në raport me mundimet tona. Këtë mbrëmje kremtojnë të gjithë katolikët në mbarë botën e në kryeqytete të ndryshme të botës, aty bashkohet dhe Tirana jonë. Tirana pa Zotin, është një qytet i fikur. Tirana ka nevojë të zbulojë Zotin. Nëse të gjithë kemi parimet e Zotit, vendi do jetë më i mirë”, tha imzot Dodaj.

Gjatë ceremonisë, besimtarët përkujtuan mundimet e Jezu Krishtit, nga momenti i dënimit dhe mbajtja e kryqit, deri në kryqëzimin dhe më pas ringjalljen në Ditën e Pashkës.

Dhjetëra pjesëmarrës përshkuan rrugën e vuajtjeve të Krishtit, ndërsa procesioni ndoqi 14 stacionet e “Udhës së Kryqit”, që përfaqësojnë etapat e fundit të jetës së tij.

E Premtja e Madhe, e njohur edhe si e Premtja e Zezë, është dita kur besimtarët kujtojnë vuajtjet dhe vdekjen e Krishtit, ndërsa Pashkët simbolizojnë ringjalljen e tij nga të vdekurit.

Pas ritualit në sheshin “Nënë Tereza”, besimtarët katolikë u drejtuan për në kishën e “Shën Palit” në kryeqytet.

Procesioni i “Udhës së Kryqit” në kryeqytet, foto: Florian Abazaj 1 nga 17

/e.i/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›